#Lajme

Jasharaj: Kurti nuk gaboi që nuk e propozoi Nagavcin për ministre të Arsimit

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka komentuar vendimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për të mos e propozuar Arbërie Nagavcin si ministre të Arsimit në përbërjen e mundshme të qeverisë “Kurti 3”.

Jasharaj tha se Kurti nuk ka bërë asnjë gabim me këtë vendim, duke shtuar se gjatë mandatit të saj Nagavci nuk ka qenë në nivelin e detyrës dhe nuk ka bashkëpunuar me sindikatën e arsimit, prindërit apo aktorët e tjerë të fushës.

“Pse nuk ia ka besu, nuk ka bërë asnjë gabim, sepse nga përvoja jonë zonja Nagavci nuk ka qenë në nivel të detyrës, nuk ka bashkëpunuar me ne dhe me prindërit. Cilido ministër që të vijë në qeverinë ‘Kurti’, situata do të jetë e njëjtë,” – deklaroi Jasharaj.

Sipas tij, në rast se formohet qeveria e re, asnjë ministër nuk do të ketë pavarësi, pasi të gjithë do të jenë nën ndikimin e kryeministrit Kurti.

“Partia në pushtet i ka idetë e veta që askush nuk mund t’i kuptojë. Edhe nëse formohet qeveria ‘Kurti 3’, ministrat nuk do të jenë zëri i tyre, por do të veprojnë sipas urdhrit të Kurtit,” – shtoi ai.

Lidhur me propozimin e Avni Zogianit si ministër të ri të Arsimit, Jasharaj u shpreh skeptik, duke thënë se nuk pret asnjë përmirësim krahasuar me periudhën e Nagavcit.

“Për besë, nuk shoh që do të ketë më mirë se me zonjën Nagavci. Ajo ka ardhur nga arsimi dhe kemi pritur më shumë mirëkuptim. Ndërsa Zogiani nuk ka qenë kurrë në arsim, dhe nuk është e drejtë që dikush pa përvojë të emërohet ministër,” – theksoi kryetari i SBASHK-ut.

Jasharaj përfundoi duke thënë se pret që nëse krijohet qeveria e re, në krye të Ministrisë së Arsimit të vijë një person që e do dhe e respekton arsimin.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *