Rrezik për Kosovën: Nga 1 janari mund të mos ketë paga e pensione, në mungesë të buxhetit të ri
Mosformimi i një qeverie të re ka rritur ndjeshëm rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar, duke vënë në pikëpyetje pagesat për paga, pensione dhe ndihma sociale.
Eksperti i financave dhe ish-ministri i Ekonomisë e Financave, Haki Shatri, paralajmëron se nëse deri në fund të këtij viti nuk miratohet buxheti, shteti mund të përballet me falimentim. Ai thekson se vetëm një qeveri me kompetenca të plota ligjore mund të propozojë ndryshime apo vazhdime të buxhetit për muajt e parë të vitit të ardhshëm.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë,” tha Shatri në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, qeveria aktuale në detyrë nuk ka të drejtë ligjore të propozojë as buxhet të ri, as ndryshim të ligjit aktual për buxhetin, pasi këto veprime kërkojnë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Ai sqaroi se buxheti aktual i Kosovës është i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2025. Pas kësaj date, pa miratimin e një vendimi të ri ligjor, fondet publike nuk mund të përdoren.
“Nga 1 janari, nëse nuk ka vendim të plotfuqishëm për të vazhduar një e dymbëdhjeta e buxhetit, nuk do të ketë paga, pensione, shtesa për fëmijët apo fonde për asnjë shpenzim publik,” theksoi ai.
Shatri paralajmëron se situata aktuale politike dhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme rrezikon stabilitetin financiar të vendit, pasi procesi i miratimit të buxhetit kërkon kohë dhe institucione të konsoliduara.
“Jam i trishtuar që pas 25 vjetësh nga çlirimi, shteti rrezikon të mos funksionojë për shkak të mungesës së buxhetit,” shtoi ai.
Në përfundim, Shatri apelon që Kuvendi dhe partitë politike të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme ligjore, për të shmangur një krizë financiare që do të prekte sektorët më jetikë të vendit, përfshirë ushtrinë dhe Policinë e Kosovës.










