#Lajme

Specialja i kërkon mbrojtjes së Thaçit të shmangë vonesat me dëshmitarët

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, i ka bërë thirrje mbrojtjes që të shmangë vonesat e mëtejshme në lidhje me paraqitjen e dëshmitarëve.

Në një njoftim zyrtar, Specialja ka bërë të ditur se trupi gjykues ka rishikuar afatet për mocionet mbi provat jogjuhësore dhe ka urdhëruar mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi që të shqyrtojë të gjitha mundësitë për të siguruar praninë e dëshmitarëve në seancat e planifikuara nga 3 nëntori.

“Mbrojtja është udhëzuar të raportojë për këtë çështje deri më 29 tetor 2025,” thuhet në njoftim.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se seancat nga 27 deri më 30 tetor janë anuluar, pasi mbrojtja ka njoftuar se nuk ka dëshmitarë të disponueshëm atë javë. Për të kompensuar, janë shtuar seanca shtesë nga 17 deri më 20 nëntor, në bazë të ditëve të pashfrytëzuara gjatë shtatorit.