#Kronika e zezë

Punëtori bie nga kati i gjashtë i një ndërtese në Gjilan, në gjendje të rëndë

Një punëtor nga fshati Kabash i komunës së Vitisë ka pësuar lëndime të rënda pasi ka rënë aksidentalisht nga kati i gjashtë i një objekti ndërtimor në Gjilan, ku po punonte.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar rastin, duke thënë se ngjarja ka ndodhur të premten pasdite, më 24 tetor 2025.

“Sipas informacioneve fillestare, punëtori dyshohet se ka rënë aksidentalisht gjatë kohës që po punonte në objekt. Si pasojë e rënies, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore”, ka deklaruar Hashani.

I lënduari është dërguar fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan, ndërsa më pas është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetimore, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit janë iniciuar veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.