#Lajme

Arrestohet në Skenderaj i dyshuari për vjedhjen e 30 mijë eurove në firmën “I.S.P.E Group” në Vushtrri

Njësitë hetimore të Policisë së Kosovës kanë arrestuar një person të dyshuar për një vjedhje të rëndë që kishte ndodhur muajin e kaluar në fshatin Beqiq të Vushtrrisë.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ishte raportuar më 8 shtator 2025 nga pronari i firmës “I.S.P.E Group”, Fatmir Imeri. Kompania, e cila merrej me prodhimin e betonit dhe asfaltit, ishte jashtë funksionit në kohën e ngjarjes.

Sipas hetimeve fillestare, autorët kishin dëmtuar rrethojën e objektit dhe kishin hyrë me forcë brenda, duke vjedhur pajisje elektrike si trafo, ndërprerës të rrymës, ormanë elektrikë dhe çelësa pune, me një dëm të vlerësuar rreth 30 mijë euro.

Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive, më 23 tetor 2025, rreth orës 06:00, policia ka zbatuar një urdhër-kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, Dega në Vushtrri, në shtëpinë e të dyshuarit Liridon S. (rreth 41 vjeç), në fshatin Prelloc të Skenderajt.

Gjatë aksionit, i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa telefoni i tij është konfiskuar si provë materiale. Me vendim të Prokurorit të rastit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh dhe është dërguar në mbajtje.

Hetimet për rastin po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.