Arrestohet Arbër Havolli, i dyshuari për vrasjen në Llapashticë të Epërme
Policia e Kosovës ka arrestuar Arbër Havollin, i cili dyshohet për vrasjen e 44-vjeçarit Bashkim Spahiu, ngjarje kjo e ndodhur më 6 shtator të këtij viti në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.
Sipas njoftimit zyrtar, Havolli ishte shpallur në kërkim që nga dita e vrasjes, ndërsa është arrestuar sot në Prishtinë pas një operacioni të suksesshëm të Njësitit të Stacionit Policor Veriu, që vepron në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit.
“Pas një operacioni policor të zhvilluar në Prishtinë, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar A.H., 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ishte në kërkim për përfshirje në rastin e vrasjes që ndodhi më 6 shtator 2025 në Llapashticë të Epërme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.











