Produktet e Kosovës së shpejti me barkode ndërkombëtare
Produktet e prodhuara në Kosovë do të kenë së shpejti barkode ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e rrjetit global të identifikimit të produkteve GS1.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Fondacionit GS1 Turqi, Elif Muftuoglu, ku është diskutuar për hapat përfundimtarë drejt anëtarësimit të Kosovës në këtë sistem ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të OEK-ut, GS1 Kosova pritet të fillojë së shpejti lëshimin e barkodave ndërkombëtare, gjë që do të mundësojë njohjen globale të produkteve vendore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në tregjet ndërkombëtare.
Ky zhvillim pritet të rrisë vlerën, besueshmërinë dhe sigurinë e produkteve kosovare, duke sjellë përfitime si për bizneset vendore ashtu edhe për konsumatorët brenda dhe jashtë vendit.
Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur falënderim të veçantë për GS1 Turqinë dhe kryetaren Muftuoglu për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e këtij procesi të rëndësishëm për ekonominë e vendit.











