Kinolli: Kurti ka kërkuar takim për formimin e qeverisë, do të mbahet pas kthimit nga Londra
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Rome e Bashkuar, Albert Kinolli, ka bërë të ditur se do të zhvillojë një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar rreth formimit të qeverisë së re.
Sipas Kinollit, takimi do të mbahet pas kthimit të Kurtit nga vizita e tij në Londër. “Sipas informacioneve që kemi dhe marrëveshjes paraprake, po e presim kthimin e kryeministrit në detyrë për të zhvilluar takimin. Unë do të përfaqësoj komunitetin rom, ndërsa për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tjerë nuk kam informacione,” tha ai.
Kinolli theksoi se asnjë subjekt politik nuk pranon të bëhet pjesë e koalicionit pa kushte, por nënvizoi se janë të gatshëm të kontribuojnë në formimin e institucioneve të reja. Ai shtoi se pret një marrëveshje “gentellmene” me Kurtin, për të siguruar që përfaqësimi i komunitetit rom në qeveri të jetë i barabartë me atë të deputetëve të tjerë nga partitë me një përfaqësues në Kuvend.











