Kurti në pikëpyetje: Afati për formimin e Qeverisë afrohet, pa shenja të marrëveshjes
Gjysma e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së re ka kaluar, por ende nuk ka sinjale konkrete nga Albin Kurti për ndonjë marrëveshje apo shumicë të mundshme. Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit por pa shumicë, gjendet nën presion për të siguruar 61 votat e nevojshme në Kuvend.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, nuk është përgjigjur për ecurinë e negociatave, ndërsa disa deputetë të partisë thanë se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera”. Edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës pohojnë se “nuk ka pasur takime apo ftesa për koalicion”.
Marrëveshja lokale mes LVV-së dhe kandidatit të LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së, e cila e ka cilësuar veprimin si “individual dhe të papranueshëm”.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, Kurti po tenton ta fragmentojë LDK-në për përfitime politike, por deri tani nuk ka treguar përpjekje serioze për krijimin e shumicës. Ai thotë se zgjedhjet e reja duken më të mundshme sesa arritja e një koalicioni.
Afati kushtetues për prezantimin e Qeverisë skadon më 26 tetor. Nëse dështon, presidentja Vjosa Osmani ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër. Ndërkohë, Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Kushtetuese për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit, çka mund ta komplikojë më tej procesin politik.










