Kosova në prag të historisë, Sahiti: Të qëndrojmë me këmbë në tokë, Rrahmani rikthehet për ndeshjet e radhës
Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka folur për ecurinë e “Dardanëve” në kualifikimet për Kampionatin Botëror, shanset për play-off dhe gjendjen shëndetësore të kapitenit Amir Rrahmani.
Në një intervistë për KosovaPress, Sahiti ka theksuar se skuadra ka hyrë në një fazë të re pas rezultateve pozitive në Grupin B, por ka bërë thirrje për qetësi dhe përqendrim maksimal në ndeshjet vendimtare ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.
Ai ka konfirmuar se Rrahmani është në rrugë të mirë për t’u rikthyer dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidat e muajit nëntor.
Sahiti shtoi se, përkundër mundësisë që Kosova të luftojë edhe për kreun e grupit, ekipi duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, duke u fokusuar fillimisht te ndeshja kundër Sllovenisë, e cila mund t’i sigurojë vendin në play-off.
Ai theksoi se ndeshja e fundit kundër Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri” mund të vendosë për vendin e parë, nëse rezultatet e tjerë shkojnë në favor të Kosovës.












