#Lajme

Mitrovicë: 17-vjeçari ndalohet, në telefon i gjenden foto me granatë dore dhe armë të ftohta

Një 17-vjeçar është ndaluar nga Policia në Mitrovicë, pasi gjatë kontrollit të telefonit të tij janë gjetur fotografi me granatë dore dhe thika të gjata, si dhe biseda të dyshimta me persona që dyshohet të merren me tregti të paligjshme armësh dhe narkotikësh.

Ngjarja ka ndodhur më 18 tetor 2025, rreth orës 23:45, në rrugën “Adem Voca”, gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Sipas burimeve, gjatë ndalimit të një automjeti, i mituri që ndodhej si pasagjer kishte tentuar të largohej, por është ndaluar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Jugu-Mitrovicë.

Në koordinim me njësinë e hetimeve dhe Prokurorin Kujdestar, është urdhëruar konfiskimi i telefonit dhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku nuk janë gjetur armë apo substanca të tjera.

Me vendim të prokurorit, 17-vjeçari është liruar në shtëpi, ndërsa pritet të intervistohet në ditët në vijim në prani të avokatit mbrojtës.

Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.