#Lajme

Rrahje në lokalin “Bubble” në Prishtinë – sulm ndaj një personi për shkak të orientimit seksual, i dyshuari përfundon në ndalim

Një përleshje fizike është regjistruar pas mesnate në lokalin “Bubble”, në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë. Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:50 të datës 18 tetor 2025, kur një person në gjendje të dehur ka sulmuar një qytetar për shkak të orientimit të tij seksual.

I dyshuari, i identifikuar si Valon Murtezi, 31 vjeç, pas konsumimit të sasisë së konsiderueshme të alkoolit, është konfliktuar me një person të njohur me nofkën “Barbi”. Gjatë debatit verbal, Murtezi dyshohet se e ka ofenduar dhe më pas ka tentuar ta sulmojë fizikisht atë, duke shkaktuar reagimin e të pranishmëve në lokal.

Në përleshjen që pasoi, Murtezi ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitë policore. Ai është gjetur në gjendje të rëndë alkoolike – me nivel prej 0.76 mg/L – dhe është dërguar për trajtim në QKUK.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është ndaluar përkohësisht nga ora 01:30 deri në 09:00 të datës 19 tetor. Policia ka inicuar rastin si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.