#Lajme

Lista Serbe sfidon Kuvendin, dërgon në Kushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

Vetëm pak ditë pas konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe ka vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e këtij procesi duke ankuar në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e nënkryetarit serb, Nenad Rashiq.

Në ankesën e dorëzuar, kjo parti pretendon se gjatë zgjedhjes janë bërë shkelje kushtetuese dhe të rregullores së Kuvendit, duke kërkuar nga Gjykata vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”.

Rashiq, deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh më 10 tetor si nënkryetar nga komuniteti serb, pasi kandidatët e Listës Serbe nuk arritën të siguronin votat e nevojshme.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nënkryetari i Kuvendit duhet të jetë nga radhët e deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

Kjo sfidë ligjore nga Lista Serbe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e formimit të Qeverisë së re.