Lladrovci paralajmëron “rikthimin” te zyra e PDK-së në Drenas pas fitores në zgjedhje
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, fitues në zgjedhjet e së dielës me listën “Për Drenasin Kampion”, ka ftuar qytetarët dhe mbështetësit që të festojnë fitoren e tij me një koktej simbolik. Ai njoftoi se rreth orës 18:30 do të shkojnë te zyra ku më parë ka qenë selia e Degës së PDK-së në Drenas.
Në një postim në Facebook, Lladrovci falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e zgjedhjeve, të cilat sipas tij janë mbajtur në mënyrë shembullore. Ai theksoi se kokteji simbolik për fitoren nuk përfaqëson arrogancë dhe nuk përjashton askënd.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar që kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore. Kjo nuk na pengon të kemi një koktej për fitoren, jo vetëm të listës ‘Për Drenasin Kampion’, por të qytetarëve krenarë dhe me integritet,” shkroi ai.










