Osmani mbështet protestën e 17 tetorit në Tiranë: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, Serbia agresore
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën gjithëkombëtare që do të zhvillohet më 17 tetor në Tiranë, në përkrahje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po përballen me drejtësinë në Hagë.
Gjatë një deklarate pas vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osmani theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe mbrojtëse, ndërsa e cilësoi Serbinë si agresoren në luftën e fundit në Kosovë.
“E mbështes këtë protestë dhe kam mbështetur çdo protestë që kërkon drejtësi. Qytetarët tanë nuk kanë kërkuar asgjë më shumë përveç drejtësisë — drejtësi që respekton parimet më të larta të të drejtave të njeriut,” u shpreh presidentja.
Ajo kujtoi se ish-krerët e UÇK-së janë paraqitur vullnetarisht para drejtësisë ndërkombëtare, duke treguar besimin e tyre në sistemin e drejtësisë. “Janë bërë pesë vjet pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare. Ne si institucione vazhdojmë të kërkojmë respektimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut dhe mbështesim qytetarët tanë sa herë protestojnë për këto parime,” shtoi Osmani.
Presidentja përsëriti se lufta e UÇK-së ka qenë për liri dhe për mbrojtjen e popullit të Kosovës nga agresioni serb. “Lufta e UÇK-së ka qenë luftë për çlirimin e Kosovës dhe për mbrojtjen e qytetarëve të pafajshëm që u përballën me masakra e dhunë nga ushtria serbe. Është e qartë se në atë luftë ka pasur vetëm një agresor – Serbinë, dhe vetëm një viktimë – Kosovën,” tha ajo.
Në fund, Osmani u zotua se do të vazhdojë ta mbrojë drejtësinë e luftës së UÇK-së deri në fund, duke e quajtur këtë një betejë për dinjitetin dhe lirinë e popullit të Kosovës.










