Arrestohen tre persona të dyshuar për zjarrvënie dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në Lipjan
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një rast zjarrvënieje, që kishte ndodhur më 27 shtator 2025, rreth orës 23:31, në një parking të një ndërtese banimi në qytetin e Lipjanit.
Sipas policisë, nga zjarri ishte djegur një automjet dhe ishin dëmtuar disa të tjera, ndërsa zjarri kishte rrezikuar edhe banorët e zonës. Fatmirësisht, nuk është raportuar për persona të lënduar.
Pas hetimeve intensive të Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, janë identifikuar katër persona të dyshuar, prej të cilëve tre janë arrestuar mbrëmë.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është iniciuar hetim për veprat penale “Zjarrvënie” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetimet vazhdojnë për kapjen e personit të katërt të dyshuar.










