#Botë

Trump: Niset faza e dytë e marrëveshjes për paqe në Gazë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se faza e dytë e marrëveshjes për paqe në Gazë ka nisur, pas zbatimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump u bëri thirrje Hamasit të lirojë trupat e pengjeve të vrarë, duke theksuar se ky është një hap i domosdoshëm për përparimin e procesit.

“Një barrë e madhe është hequr, por puna nuk ka përfunduar. Të vdekurit nuk janë kthyer, siç është premtuar. Faza e dytë nis tani”, shkroi ai.

Deklarata e Trumpit erdhi një ditë pas qëndrimit të tij në Izrael dhe Egjipt, ku festoi arritjen e marrëveshjes për përfundimin e luftës.

Në kuadër të fazës së parë, Hamasi liroi 20 pengje të gjalla, ndërsa Izraeli liroi rreth 2.000 palestinezë nga burgjet. Gjithashtu, Hamasi dorëzoi përmes Kryqit të Kuq trupat e disa pengjeve të vdekur.

Të dyja palët kanë pranuar një plan 20-pikësh të propozuar nga Trump, që parashikon armëpushim, lirimin e pengjeve dhe çarmatosjen e Hamasit.

Gjatë samitit në Kajro, ku morën pjesë mbi 20 liderë botërorë, përfshirë ata të Katarit, Egjiptit dhe Turqisë, u nënshkrua zyrtarisht plani për paqe në Gazë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 pengje. Si pasojë e ofensivës izraelite, janë vrarë mbi 67.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në këtë territor.