Kush hyn në “matematikat” e Kurtit për formimin e Qeverisë së re?
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka afat deri më 26 tetor për të paraqitur përbërjen e Qeverisë së re në Kuvend. Me 48 ulëse të fituara, VV-së i duhen edhe 13 deputetë për të siguruar shumicën prej 61 votash.
Analistët vlerësojnë se pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit është krijuar një klimë më e favorshme për negociata ndërpartiake. Sipas Albert Krasniqit nga Demokraci Plus, partitë kanë pritur përfundimin e zgjedhjeve për të shmangur ndikime politike në garat komunale.
Ndërkohë, Albulena Haxhiu ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në dhe Listën Serbe, por ka lënë të hapur bashkëpunimin me LDK-në, e cila shihet si partneri më i mundshëm për krijimin e shumicës.
Një marrëveshje e tillë mund të ndikojë edhe në garën për Prishtinën, ku kandidatët e VV-së dhe LDK-së do të përballen në balotazh më 9 nëntor.
Sipas profesorit Afrim Hoti, “matematika politike” e Kurtit përfshin kryesisht LDK-në dhe pakicat joserbe, ndërsa partitë më të vogla, si AAK dhe Nisma, kanë ndikim të kufizuar.
Një faktor shtesë në negociata është edhe posti i presidentit, pasi mandati i Vjosa Osmanit përfundon në prill 2026. Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë shumicën deri më 26 tetor, presidentja mund t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon mbështetje parlamentare.










