#Lajme

Votat e mërgimtarëve mund të përcaktojnë balotazhin në pesë komuna

Votat e ardhura me postë nga mërgimtarët pritet të kenë rol vendimtar në përcaktimin nëse do të ketë balotazh në pesë komuna të Kosovës — Gjilan, Gjakovë, Junik, Klinë dhe Han i Elezit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë pranuar mbi 33 mijë fletëvotime me postë, të cilat do të verifikohen dhe numërohen pas përfundimit të numërimit të votave për këshilltarë komunalë.

Në Gjilan, kandidati i Vetëvendosjes kryeson me 49.79% të votave, i pasuar nga Arbër Ismajli i LDK-së me 34.24%.

Në Gjakovë, Ardian Gjini kryeson me 47.74%, ndërsa pas tij renditet Ardian Gola i VV-së me 32.82%.

Në Junik, Ruzhdi Shehu i LDK-së shpreson të sigurojë mandatin pa balotazh pas numërimit të votave të mërgimtarëve.

E njëjta situatë është edhe në Klinë, ku Zenun Elezaj i AAK-së ka marrë 48.04% të votave dhe pret që rezultati i diasporës ta konfirmojë në detyrë.

Ndërkohë, në Han të Elezit, kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazi, është shpallur fitues me 50.94% të votave, por rezultati përfundimtar mbetet i hapur derisa të numërohen edhe votat e diasporës, të cilat mund të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh më 9 nëntor.