#Lajme

Inflacioni në Kosovë ngjitet në 4.7 për qind gjatë shtatorit

Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur sërish gjatë muajit shtator 2025, duke e çuar normën vjetore të inflacionit në 4.7 për qind, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) ka shënuar një rritje të ndjeshme, e cila është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive të mallrave dhe shërbimeve.

Sipas ASK-së, rritjet më të mëdha janë regjistruar te pushimet e organizuara (23.1%), biletat e fluturimeve (22.5%), energjia elektrike (17.4%), kafeja, çaji dhe kakaoja (14.2%) dhe pemet (13%). Po ashtu, janë rritur edhe çmimet e mishit (12.1%), qumështit, djathit dhe vezëve (8.8%), shërbimeve hoteliere (8.3%) dhe vajrave e yndyrnave (6.8%).

Këto kategori kanë pasur ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit vjetor, me një efekt të kombinuar prej 4.9 për qind në IHÇK.

Ndërkohë, inflacioni mujor në shtator shënoi rënie prej -0.2 për qind, kryesisht për shkak të uljes së çmimeve të karburanteve dhe lubrifikantëve (-3.6%), pemëve (-2.8%), biletave të fluturimeve (-1.6%) dhe energjisë elektrike (-1.2%).

Megjithatë, disa produkte shënuan rritje mujore të lehtë, përfshirë lëndët djegëse të ngurta si druri e peletët (1.4%), qumështin, djathin dhe vezët (1.1%), blerjen e automjeteve (0.6%) dhe shërbimet hoteliere (0.4%).

ASK thekson se këto luhatje të çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në normën mujore dhe vjetore të inflacionit, e cila matet përmes indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK).