Specialja refuzon kërkesën e Prokurorisë për kufizimin e vizitave të Hashim Thaçit
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë refuzuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masave shtesë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Prokuroria kishte kërkuar kufizime në vizitat e paprivilegjuara të Thaçit dhe ndalimin e 14 personave që ta vizitonin, përfshirë tre vëllezërit e tij dhe disa bashkëpunëtorë, me arsyetimin se kjo do të parandalonte ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Gjykata refuzoi kërkesën për vëllezërit e Thaçit dhe miratoi përkohësisht për 11 persona të tjerë, por më pas vendosi të mos vendosë asnjë masë shtesë.
Trupi gjykues theksoi se të akuzuarve tashmë u ndalohet të diskutojnë informacione konfidenciale dhe se kufizime të reja nuk janë të nevojshme. Mbrojtja e Thaçit e cilësoi kërkesën e Prokurorisë të pajustifikuar dhe të pazbatueshme.











