#Lajme

100 prokurorë kujdestarë në terren për mbrojtjen e votës së lirë

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur procesin zgjedhor të sotëm.

Sipas njoftimit, ky angazhim ka për qëllim trajtimin e menjëhershëm të çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

Prokurorët po qëndrojnë kujdestarë në prokuroritë themelore nëpër qytete, ndërsa në komunat ku nuk ka objekte të prokurorisë, ata janë vendosur në stacionet policore. Në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës, ata do të veprojnë për të siguruar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkohë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar në terren dhe atij të caktuar pranë KQZ-së.