UNRWA: Ushqim i mjaftueshëm për tri muaj për popullsinë e Gazës
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se aktualisht ka furnizime ushqimore të mjaftueshme për të ushqyer të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës për një periudhë prej tre muajsh.
Në një konferencë për media, drejtoresha e komunikimit e UNRWA-së, Juliette Touma, tha se shpërndarja e ndihmave humanitare është “absolutisht kritike”, duke theksuar rëndësinë e lejimit të hyrjes së tyre të vazhdueshme gjatë konfliktit.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur uria është shpallur për herë të parë në qytetin e Gazës nga një organ ndërkombëtar i sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB-ja.
Sipas planit të armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, parashihet që çdo ditë të hyjnë deri në 600 kamionë me ndihma humanitare në territorin e Gazës. Plani gjithashtu përfshin rikonstruktimin e infrastrukturës, spitaleve, furrave të bukës dhe pastrimin e rrënojave, në bashkëpunim me OKB-në, Gjysmëhënën e Kuqe dhe organizata të tjera ndërkombëtare.











