#Lajme

KQZ përfundon shpërndarjen e materialit zgjedhor, mbi 3.6 milionë fletëvotime dërgohen në komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor. Në këtë proces përfshihen edhe fletëvotimet, të cilat tashmë janë dërguar në të gjitha komunat e vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe do të shpërndahen në Qendrat e Votimit të dielën në mëngjes.

“Sipas planifikimeve, KQZ ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet që do të përdoren në procesin e votimit më 12 tetor”, deklaroi Elezi.

Sipas tij, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash dhe kuvende komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime, nga të cilat 1.8 milionë për secilin lloj zgjedhjesh. Ky numër përfshin të gjitha format e votimit – në vendvotime të rregullta, me kusht, për persona me nevoja të veçanta, me postë si dhe fletëvotimet rezervë.