Qeveria në detyrë ndan 300 mijë euro për librat shkollorë në Luginë dhe avokimin ndërkombëtar
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar ndarjen e 304 mijë eurove për sigurimin e mbi 35 mijë teksteve shkollore për 3,650 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në komunat e Luginës së Preshevës, si dhe për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës në SHBA, Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare.
Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten, më 10 tetor, ndërsa mjetet do të transferohen te Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka ndarë edhe 50 mijë euro për familjen e policit Afrim Bunjaku, i cili u vra në sulmin terrorist në Banjskë. Fondet do të përdoren për ndërtimin e një hapësire pritjeje për qytetarët, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij.
Po ashtu, janë ndarë edhe 200 mijë euro për renovimin e një objekti në Mitrovicën e Veriut, që do të shfrytëzohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).










