ATK mblodhi 794.3 milionë euro të hyra tatimore në nëntëmujorin e parë të vitit 2025
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2025 ka mbledhur gjithsej 794.3 milionë euro të hyra tatimore. Kjo shumë paraqet një rritje prej 86.4 milionë euro, ose 12.2 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në njoftimin e saj, ATK thekson se këto rezultate pasqyrojnë përmirësimin e vazhdueshëm në mbledhjen e të hyrave, si dhe angazhimin për të forcuar integritetin tatimor, luftuar ekonominë joformale dhe përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve.
Institucioni ka theksuar se është i përkushtuar të arrijë projeksionet e planifikuara për këtë vit fiskal, të cilat konsiderohen premtuese për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
Sipas ATK-së, këto rezultate dëshmojnë besimin në sistemin tatimor dhe bashkëpunimin e mirë me bizneset dhe qytetarët.
Në fund, ATK ka bërë të ditur se do të vazhdojë të fuqizojë mekanizmat raportues, informues dhe edukues, me synim ndërtimin e një sistemi tatimor më efikas, të drejtë dhe transparent, si pjesë e strategjisë për të forcuar kulturën tatimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.











