#Lajme

Arrestohet në Vushtrri babai që dyshohet për dhunë psikike ndaj vajzës së tij 19-vjeçare

Një 42-vjeçar nga Vushtrria është arrestuar të mërkurën paradite, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij 19-vjeçare.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ismail Qemali”, ku e reja S.Z. ka denoncuar të atin A.Z. për fyerje dhe presion të vazhdueshëm gjatë më shumë se tre muajve të fundit.

Sipas burimeve nga policia, vajza ka raportuar se babai i saj e ka nënçmuar vazhdimisht me fjalë përulëse dhe e ka vënë nën stres të vazhdueshëm emocional.

I dyshuari A.Z. është intervistuar në prani të hetuesve, ku ka mohuar akuzat, duke thënë se vetëm e ka këshilluar vajzën për sjellje që, sipas tij, “nuk ishin të përshtatshme”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për veprën penale “Dhunë në familje” janë duke vazhduar.