#Lajme

Mbahet seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Sot pritet të mbahet seanca e radhës gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në seancën e kaluar, eksperti mjeko-ligjor Naim Uka deklaroi se nga hulumtimet e kryera është përjashtuar mundësia e vetëvrasjes së saj, ndërsa ka theksuar se distanca e qitjes me armë ishte nga 2 deri në 5 centimetra.

Për këtë rast, të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Dy të parët kishin pretenduar se vuajnë nga çrregullime mendore, por sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, asnjëri prej tyre nuk ka pasur probleme të tilla gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërsa Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla nuk ishin deklaruar për fajësinë.

Ndërkaq, Tom Dodaj kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.