Kuvendi rikthehet në punë – sot në ora 10:00 mbahet seanca e parë pas më shumë se një muaji
Pas një pauze mbi njëmujore, Kuvendi i Kosovës sot në ora 10:00 do të mbajë vazhdimin e seancës konstituive. Në rend dite është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Ky hap vjen pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se seanca konstituive e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në vendimin e saj, Gjykata thekson se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës, që përcaktojnë zgjedhjen dhe mandatin e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Gjykata urdhëroi që seanca të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, ndërsa kërkoi nga deputetët që procesin ta zhvillojnë në interes të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.










