Operacion i befasishëm në Prishtinë – Dogana sekuestron sasi municioni të kontrabanduar
Njësitet e Doganës së Kosovës kanë zhvilluar sot një operacion të befasishëm në rajonin e Prishtinës, ku është zbuluar dhe sekuestruar një sasi municioni të kontrabanduar.
Gjatë kontrollit në një subjekt afarist dhe objektet ndërlidhëse të tij, autoritetet doganore kanë gjetur municion të kalibrave të ndryshëm, përfshirë për armë të gjata dhe për armë gjahu, i cili ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin.
Dogana ka njoftuar se rasti është dokumentuar dhe i është përcjellë Prokurorisë kompetente, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për të identifikuar burimin dhe destinacionin e municionit.
Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe çdo veprimtarie të paligjshme, me synim mbrojtjen e sigurisë publike dhe interesave të Republikës së Kosovës.















