Kosova pajiset me mijëra dronë kamikazë “Skydagger” – reagojnë Osmani, Kurti dhe Maqedonci
Kosova është pajisur me mijëra dronë luftarakë kamikazë të tipit Skydagger, që kanë arritur të mërkurën në Aeroportin “Adem Jashari”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se dhjetëra ushtarë të FSK-së janë trajnuar për përdorimin e tyre dhe se kontrata me kompaninë turke Baykar ishte nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar.
“Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, shkroi Kurti, duke shtuar se këta dronë të tipit FpV RTF janë të pajisur me mjete shpërthyese për goditjen e objektivave të armikut.
Sipas tij, blerja e këtij kontingjenti, krahas TB2 Bayraktar dhe Puma, forcon kapacitetet goditëse të ushtrisë. Dronët u transportuan me kamionë Rheinmetall 8×8 të FSK-së.
Presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci e vlerësuan këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së vendit.











