#Lajme

Qeveria në detyrë nën akuza për shkelje të ligjit dhe tejkalim kompetencash

Anëtarë të Qeverisë në detyrë, që njëkohësisht janë edhe deputetë të Kuvendit, po akuzohen nga përfaqësues të shoqërisë civile për shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe ushtrim të funksioneve të dyfishta.

Sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, mbajtja e dy posteve është kundër Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë, gjë që e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme. “Qeveria e di që nuk mund t’i mbajë ato pozita. Është e kundërligjshme”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila është edhe deputete, thotë se merr pagë vetëm si ministre. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka arsyetuar këtë praktikë duke thënë se “shteti nuk mund të ketë vakum në qeverisje”.

Ligji për Qeverinë kërkon që çdo anëtar i ekzekutivit që zgjidhet deputet të japë dorëheqje para certifikimit të rezultateve, por 15 zyrtarë ende mbajnë dy poste.

Gjykata Supreme më 15 korrik shfuqizoi një udhëzim të ministrit në detyrë të Financave, duke konstatuar se ushtrimi i dy funksioneve është i ndaluar. Megjithatë, Qeveria në detyrë ka vazhduar të marrë vendime dhe të bëjë emërime në institucione publike.

Sipas Shalës, këto vendime nuk bien automatikisht, përveç rasteve të mundshme korruptive, ndërsa palët e dëmtuara mund t’i drejtohen gjykatave.