#Lajme

Dy persona arrestohen në Prishtinë, u sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara

Dy persona janë arrestuar në Prishtinë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “Falsifikim i parasë”.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është bërë pas hetimeve disa mujore të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.

Operacioni është realizuar të martën në mbrëmje, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë kontrollit të një veture, ku ndodheshin të dyshuarit S.T. dhe A.Th., policia ka gjetur dhe sekuetruar 40 mijë euro të falsifikuara, të cilat pas testimit fillestar rezultuan jo origjinale.

Kontrolle janë zhvilluar edhe në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të arrestuar.

Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se po vazhdon me veprimet e mëtejshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.