Sallahu: Mbi 12 milionë euro pasuri e konfiskuar në katër vitet e fundit
Mbi 12 milionë euro është vlera e pasurisë së sekuestruar, ngrirë dhe konfiskuar gjatë katër viteve të fundit nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka theksuar se shumë shpejt në fokus do të jetë edhe pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme nga zyrtarë publikë.
Sipas tij, Byroja Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pritet të hyjë në fuqi pasi të marrë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese, ku ndodhet prej kohësh pa asnjë arsyetim.
“Kur të nisë puna e Byrosë, shifrat do të jenë krejtësisht tjera. Ky institucion nuk do të tolerojë më përfitime të paligjshme nga zyrtarët publikë që nuk arrijnë të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre. Pasuritë e tilla do të sekuestrohen, konfiskohen dhe më pas do t’u kthehen qytetarëve si pronarë legjitimë”, ka shkruar Sallahu.










