Presidenca e Kosovës: Vuçiq po rikthen retorikën e Millosheviqit, paqja është zgjedhja jonë
Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po përpiqet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të siguruar mbështetjen e vendeve të NATO-s dhe shteteve evropiane.
Në reagimin e saj, Presidenca e cilëson këtë retorikë si të rrezikshme dhe të ngjashme me thirrjet e viteve të errëta të historisë së fundit. “Vuçiq nuk po zgjedh rrugën e pajtimit, por po rikthen fantazitë shkatërrimtare që sollën tragjedi në rajon”, thuhet në njoftim.
Institucioni kujton vitet ’90, kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit shkaktoi luftëra gjenocidale në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, duke lënë pas mijëra viktima, varreza masive dhe shkatërrim. Në këtë kontekst, përmendet edhe roli i Vuçiqit si pjesë e aparatit propagandistik të asaj kohe.
“Millosheviqi dështoi dhe përfundoi i turpëruar e i rrëzuar nga populli i vet. I njëjti fat do ta ndjekë edhe Vuçiqin nëse beson se mund ta ringjallë formulën e tij helmuese”, thuhet në reagim.
Presidenca thekson se lufta nuk është mjet udhëheqjeje, por strehë e fundit e liderëve që kanë humbur legjitimitetin. “Kosova ka zgjedhur paqen, të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht”, përfundon reagimi.











