#Lajme

PDK e LDK: Dialogu Kosovë–Serbi në “vdekje klinike”, marrëdhëniet me aleatët të dëmtuara rëndë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj dialogut Kosovë–Serbi, duke e cilësuar procesin si të futur në “vdekje klinike” dhe duke theksuar se marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë janë cenuar rëndë.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për Ekonomia Online tha se dialogu ka humbur kuptimin për shkak të papërgjegjshmërisë së Kurtit, duke theksuar se Kosova ka pasur sukses vetëm kur ka vepruar e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, refuzimi i qeverisë aktuale për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ka bërë që interesi i tyre për dialogun të zbehet. Çitaku gjithashtu u shpreh se vendi do të shkojë shpejt në zgjedhje dhe Kurti nuk do të jetë më kryeministër.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se sjellja e Kurtit ka dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke përmendur pezullimin e dialogut strategjik dhe sanksionet me të cilat po përballet vendi. Ai shtoi se ngecja e procesit të dialogut është pasojë edhe e mosformimit të qeverisë së re dhe moskonstituimit të plotë të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.