Vuçiq: “E dimë tashmë se do të ketë luftë” – Osmani paralajmëron për kërcënimet e Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po shfrytëzon këtë kohë për të siguruar mbështetjen e shteteve evropiane dhe të NATO-s.
Duke folur pas Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë, ai tha se “bota po shkon drejt një konflikti të madh” dhe se “askush nuk po përgatitet për bisedime, por vetëm po përcaktohet kush do të jetë në anën e kujt”. Sipas tij, “logoret janë gërmuar dhe po pritet fillimi”, megjithëse nuk ofroi prova për këto pretendime, duke shtuar se Serbia do të përpiqet të mos përfshihet në një luftë.
Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklarimet e saj gjatë samitit, tha se Rusia është kërcënim për Evropën, ndërsa Serbia për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se ndjek modelin e Moskës.
Ajo i bëri thirrje BE-së që të mos e shpërblejë Serbinë dhe theksoi se pa ndikimin perëndimor, “Trekëndëshi i Ligësisë – Rusia, Kina dhe Irani – do të shfrytëzojnë hapësirat e rajonit për interesa dashakeq strategjikë”.
Osmani, gjatë vizitës së saj në SHBA javën e kaluar, e cilësoi Beogradin si kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën. Në një intervistë për “Fox News”, ajo kujtoi se Serbia shpesh provokon tensione, ndërsa vlerësoi administratën e presidentit amerikan Donald Trump për rolin në parandalimin e përshkallëzimit në muajt e fundit.










