Gara e armatimit në Ballkan, Kosovë drejt NATO-s – Serbia mes Perëndimit, Kinës e Rusisë
Ballkani Perëndimor po shihet si një miniaturë e rivaliteteve globale, ku gara e armatimit mbetet e pranishme edhe pas 25 vjetësh nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Analistët theksojnë kontrastin mes Kosovës dhe Serbisë: Kosova synon integrim të plotë në NATO, ndërsa Serbia ndërton lidhje paralele me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë. Vetëm në vitin 2024, Beogradi shpenzoi 2,2 miliardë dollarë për armatim – pesë herë më shumë se Shqipëria dhe mbi dhjetë herë më shumë se Kosova.
Presidenti Aleksandar Vuçiç justifikon këto investime me “kërcënime nga fqinjësia”, pa specifikuar burimin. Serbia ka blerë avionë Rafale nga Franca, dronë dhe sisteme raketore nga Kina, duke kombinuar stërvitjet me NATO-n në kuadër të “Partneritetit për Paqe” me bashkëpunime të ngushta me Pekinin dhe Budapestin.
Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, Jamie Shea, Serbia është bërë një pikë tërheqëse për Kinën, që synon ndikim në Evropë, ndërsa politika e balancave e Beogradit mes Lindjes dhe Perëndimit mund të kthehet në rrezik për stabilitetin rajonal.
Shea paralajmëron se, për shkak të tensioneve të brendshme dhe atyre në rajon, Vuçiç mund të zgjedhë një qasje më konfrontuese ndaj fqinjëve.










