Kurti: Pezullimi i Dialogut me SHBA lidhet me mbylljen e strukturave serbe në veri
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në SHBA tha se pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik nga Uashingtoni ka të bëjë me mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri.
“Është për shkak të sundimit të ligjit në veri, që rezultoi kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise”, u shpreh Kurti, duke shtuar se ky është obligim i brezit të tij.
Ai theksoi se raportet Kosovë-SHBA janë të forta në mbrojtje dhe zhvillim, ndërsa pengesa ka në diplomaci, pasi SHBA-ja kërkon të shkëpusë Serbinë nga Moska. “Unë nuk jam kryeministër që i them Policisë të mos arrestojë kriminelë për shkak të reagimeve ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ambasada amerikane më 12 shtator arsyetoi pezullimin me rritjen e tensioneve në veri dhe kufizimin e bashkëpunimit mbi prioritetet e përbashkëta. Ndërkohë, Kosova ka vazhduar mbylljen e institucioneve paralele serbe, përfshirë fondet shëndetësore e pensionale në Mitrovicën e Veriut.











