#Lajme

Zelensky: Rusia sulmoi me 500 dronë dhe mbi 40 raketa, katër të vrarë në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Rusia ka kryer një sulm masiv ajror ndaj Ukrainës, duke lëshuar 500 dronë dhe më shumë se 40 raketa.

Në një postim në Telegram, ai tha se si pasojë e këtij sulmi janë vrarë të paktën katër persona, ndërsa objektiva kryesore ishin Kievi dhe rajonet Zaporizhzhia, Khmelnytskyi, Sumy, Mykolaiv, Chernihiv dhe Odesa.

Zelensky bëri të ditur se janë dëmtuar ndërtesa banimi dhe një fabrikë gome, duke e cilësuar sulmin si brutal ndaj infrastrukturës civile.

Ai e lidhi këtë ofensivë me zhvillimet ndërkombëtare të javës së kaluar, duke theksuar se Moska po tregon se dëshiron të vazhdojë luftën dhe terrorin.

“Koha për veprime vendimtare ka ardhur. Rusia duhet të përballet me presionin më të ashpër ndërkombëtar. Ne mbështetemi në një përgjigje të fortë nga SHBA-ja, Evropa, G7 dhe G20”, u shpreh Zelensky.