Kurti falënderon Joe dhe Shirley DioGuardi për kontributin ndaj çështjes shqiptare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për Joe dhe Shirley DioGuardi, dy prej mbështetësve më të mëdhenj të çështjes shqiptare në SHBA, me rastin e ditëlindjeve të tyre të 85-të dhe 75-të.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti vlerësoi kontributin historik të ish-kongresistit Joe DioGuardi, duke theksuar se ai ishte personi që i hapi dyert e politikës amerikane për shqiptarët, në një kohë vendimtare për Kosovën.
Ai përmendi gjithashtu edhe rolin e Shirley DioGuardit, duke i cilësuar bashkë si një dyshe të fuqishme lobuese që ndikoi në vendime të rëndësishme të administratave amerikane, nga presidenti Clinton deri te presidenti Bush.
Çifti DioGuardi ka qenë mbështetës i fuqishëm i UÇK-së dhe ka kontribuar në përpjekjet diplomatike për të ndaluar përsëritjen e tragjedive si ajo e Bosnjës.
“Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij,” shkroi Kurti.








