#Lajme

Spahiu: Kushtetuesja duhet të japë vendim shterues për konstituimin e Kuvendit

Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që vendimi i saj për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të jetë i qartë dhe përfundimtar, në mënyrë që të mos vazhdojë ngërçi politik.

Ai kritikoi vonesën e Kushtetueses, duke thënë se sqarimet duhej të jepeshin që në fillim. Sipas tij, gjykata duhet të përcaktojë nëse Kuvendi mund të funksionojë edhe pa një nënkryetar nga komuniteti serb, në rast se nuk ka kandidat ose asnjëri prej tyre nuk merr votat e nevojshme.

“Funksionimi i Kuvendit nuk mund të mbetet peng i komunitetit serb”, theksoi Spahiu, duke shtuar se Kushtetuesja duhet të ofrojë mekanizma të qartë për të gjitha situatat hipotetike.

Ai po ashtu akuzoi partitë politike se po e mbajnë qëllimisht parlamentin të bllokuar për të penguar formimin e qeverisë.

Duke komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar të Kuvendit, Spahiu e cilësoi atë si një “aksident politik” të krijuar nga lojërat mes partive.

Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë së shpejti vendimin përfundimtar, i cili do të përcaktojë hapat e mëtejshëm për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.