Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj dy personave për nxitje urrejtjeje dhe përkrahje të ISIS-it
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, për shkak të përhapjes së ideologjisë ekstreme dhe përkrahjes së organizatës terroriste ISIS.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok kanë publikuar materiale nxitëse me thirrje për bashkim në luftëra të armatosura dhe xhihad. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë vendosur flamuj të ISIS-it në kulmin e shtëpisë dhe kanë shkruar grafite me përmbajtje fetare në gjuhën arabe, veprime që sipas Prokurorisë mund të rrezikonin rendin publik.
D.B. gjithashtu akuzohet për shpërndarje të materialeve me përmbajtje fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe për qasje refuzuese ndaj atyre që nuk e praktikojnë fenë sipas bindjeve të tij.
Prokuroria ka kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë t’i shpallë fajtorë të pandehurit dhe të vazhdojë masat e sigurisë – paraburgimin ndaj D.B. dhe arrestin shtëpiak ndaj E.B.








