Kanë arritur 85 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, vaksinimi nis në tetor
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur 85,000 doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat do të shpërndahen në njësitë e vaksinimit në të gjithë vendin. Procesi i vaksinimit do të nisë në javën e parë të tetorit dhe do të zhvillohet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Zyrtarja për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Gjylferie Zabeli, ka konfirmuar për Radio Kosovën se vaksinat janë siguruar përmes procedurave të prokurimit dhe janë të certifikuara nga brendet më të njohura botërore. Ato tashmë janë pranuar në depon e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), prej nga do të shpërndahen në të gjitha njësitë e vaksinimit sipas planit të hartuar nga IKShPK.
Zëdhënësja e IKShPK-së, Era Pireva, ka deklaruar se shpërndarja e vaksinave do të fillojë në ditët në vijim, ndërsa vaksinimi do të realizohet çdo ditë pune në qendrat shëndetësore nëpër komuna.
Ndërkohë, mjeku familjar Valdet Hashani nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, theksoi rëndësinë e vaksinimit për parandalimin e komplikimeve nga gripi sezonal, sidomos për kategoritë më të rrezikuara si: të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët, personat me sëmundje kronike dhe punonjësit shëndetësorë.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i drejtohen njësive të vaksinimit për të marrë vaksinën dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre gjatë sezonit të gripit.











