FSK dhe FARSH thellojnë bashkëpunimin në logjistikë dhe mjekësi ushtarake
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) kanë rritur bashkëpunimin në fushën e logjistikës dhe mjekësisë ushtarake.
Një delegacion nga Komanda Mbështetëse e FARSH-it, i udhëhequr nga gjeneral brigade Aleksandër Pando, zhvilloi vizitë në Komandën e Logjistikës të FSK-së, ku u prit nga zëvendëskomandanti Kolonel Mehmet Lladrovci.
Delegacioni shqiptar u njoftua për arritjet, sfidat, ngritjen e kapaciteteve, si dhe për misionin dhe detyrat e Komandës së Logjistikës. Vizita përfshiu edhe servisin e automjeteve të rënda, ku u prezantuan kapacitetet e mirëmbajtjes.
Të dy palët rikonfirmuan përkushtimin për të avancuar bashkëpunimin përmes planeve bilaterale dhe shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira.











