#Botë

Trump: Rusia pothuajse nuk ka fituar territor në ofensivën e fundit në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar sërish vazhdimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, duke theksuar se ofensiva e fundit nuk i solli Moskës pothuajse asnjë përfitim territorial.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, Trump tha se pavarësisht bombardimeve të rënda dhe shpenzimeve të mëdha ushtarake, Rusia ka arritur rezultate minimale.

“Me gjithë bombardimet e fundit, ata nuk kanë fituar pothuajse asnjë territor”, deklaroi ai, duke shprehur zhgënjimin me Vladimir Putinin për vazhdimin e një lufte që e cilësoi të pakuptimtë.

Trump shtoi se Rusia ka humbur shumë jetë njerëzish dhe ka shpenzuar miliarda për armë e municione, por pa arritur qëllime të mëdha.

Ai gjithashtu lavdëroi Erdoganin, duke thënë se presidenti turk mund të ketë ndikim të rëndësishëm në këtë konflikt, pasi gëzon respekt si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia.

Pas takimit të mëparshëm me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, Trump u shpreh i bindur se Ukraina ka kapacitetin të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.