#Lajme

34-vjeçari nga Ferizaj arrestohet për sulm ndaj të miturit në Prevallë

Një incident i rëndë është raportuar në Prevallë të Prizrenit, ku një 17-vjeçar, që punonte si shitës ambulant, u bë viktimë e dhunës fizike.

Policia ka arrestuar Betim Shabanin, 34 vjeç nga Ferizaj, i cili dyshohet se më 6 gusht, rreth orës 16:00, pas një zënke verbale, e kapi për dore dhe e goditi me shuplakë në kokë të miturin.

Sipas deklarimit të viktimës, gjatë incidentit i dyshuari kishte marrë edhe një armë nga vetura e tij, duke shkaktuar frikë dhe panik tek të pranishmit.

Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, më 25 shtator u kryen kontrolle në veturat dhe banesën e tij në Ferizaj, ku policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë të markës MOSSBERG MC1 SC (kalibër 9mm Luger), një karikator, si dhe leje për armë dhe për lëvizje me armë.

Edhe pse posedonte leje, armëmbajtja e tij është cilësuar e paautorizuar, ndaj Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur procedurë penale për veprat “Sulm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit”.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po mbahet në Qendrën e Ndalimit, ndërsa hetimet për rastin janë ende në vijim.