Kamberi: Radojçiq i paprekshëm në Serbi, mediat e ndajnë ndryshe sulmin në Banjskë
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka komentuar mënyrën se si në Serbi është pasqyruar sulmi terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai tha se përgjegjësit ende nuk janë dorëzuar nga Serbia, ndërsa theksoi se Milan Radojçiq mbetet i paprekshëm për drejtësinë serbe për shkak të lidhjeve të tij me pushtetin.
“Nuk është pritur që Radojçiq të sillet para drejtësisë, sepse ai është një figurë e fuqishme e nëntokës politike dhe kriminale në Serbi. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar ngushtë dhe nën urdhrat e Aleksandar Vuçiqit”, deklaroi Kamberi.
Duke iu referuar raportimeve të mediave në Serbi për dyvjetorin e sulmit, ai tha se një pjesë e vogël e mediave opozitare e konsiderojnë Vuçiqin përgjegjës, ndërsa ato proqeveritare e paraqesin ngjarjen si pretekst të autoriteteve kosovare për masa represive ndaj serbëve në Kosovë.
Kamberi kujtoi gjithashtu se përveç sulmit në Banjskë, Radojçiq lidhet edhe me krime të tjera në Kosovë, përfshirë vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka mohuar çdo përfshirje të shtetit të tij në ngjarjet në Banjskë.











