#Lajme

Britania e Madhe i kërkon Serbisë të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë

Në përvjetorin e dytë të sulmit terrorist në Banjskë, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të arrestojnë dhe të sjellin para drejtësisë autorët e ngjarjes së 24 shtatorit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë kapur dhe nuk janë sjellë para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen që autoritetet serbe të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada britanike ka përkujtuar humbjen e Afrim Bunjakut dhe ka vlerësuar lartë profesionalizmin dhe trimërinë e Policisë së Kosovës, si dhe punën e prokurorëve në hartimin e aktakuzës për këtë rast.