#Lajme

Kosova, e treta në botë dhe e para në Evropë për siguri, sipas raportit Gallup

Raporti më i ri i Gallup Global Safety Report 2025 e ka renditur Kosovën ndër vendet më të sigurta në botë, duke e pozicionuar të tretën globalisht dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të rendit.

Sipas të dhënave, Kosova ka marrë 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë). Ky rezultat e vendos Kosovën përpara vendeve të zhvilluara evropiane si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.

Raporti thekson gjithashtu se 89% e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në lagjet e tyre, një nga përqindjet më të larta në botë.

Sipas Gallup, këto rezultate lidhen me besimin e lartë ndaj Policisë së Kosovës dhe mbështetjen që kjo forcë gëzon nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky vlerësim ndërkombëtar shihet si dëshmi e përkushtimit të Policisë së Kosovës në ofrimin e sigurisë, mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe në ndërtimin e një partneriteti të fortë me komunitetin.